Ambiciet kombëtare dhe shpallja e shtetit shqiptar në vitin 1912

28/11/2020 21:17

Shkruan: Fisnik N. Muça, Doktor i Shkencave Politike

 

          Nën dritën e disfatës të afërt të Perandorisë Osmane, shqiptarët shpallën pavarësinë e tyre më 28 nëntor të vitit 1912, në një kongres njerëzish të njohur të kohës, të mbledhur në Vlorë. E paraprirë nga shumë ngjarje dhe organizime të shqiptarëve në fund të shekullit të 19-të, me Lidhjen e Prizrenit, si dhe në fillim të shekullit të 20-të me Kongresin e Manastirit, shqiptarët nuk e shihnin më sovranitetin e sulltanit si garanci të mjaftueshme për mbrojtjen e të drejtave, traditave dhe interesave të tyre. Si banorë të një rajoni të populluar me shumicën e tij prej myslimanëve, pjesa më e madhe e evropianëve i shihnin shqiptarët si turq, kurse kjo ide trasohej edhe më tepër nga ana e xhonturqve. Të qenit banorë të Perandorisë Osmane, e bënte koma më të vështirë ngritjen e pretendimeve shqiptare në nivel ndërkombëtar. Duke u bazuar në përvojën e tyre gjatë Kongresit të Berlinit, një numër shqiptarësh të arsimuar, arritën në përfundimin që lëvizja e tyre për pavarësi kishte nevojë për një mbështetje ndërkombëtare.

          Dy burra të spikatur të asaj kohe, Ismail Qemal bej Vlora dhe Hasan Prishtina, ishin të vetëdijshëm për përpjekjet kombëtare për ruajtjen e Shqipërisë, por njëkohësisht e kuptuan edhe faktin që këto përpjekje do të ishin të parealizueshme në rast se nuk do të mbështeteshin nga ana e Fuqive të Mëdha. Nismat diplomatike shqiptare për të siguruar mbështetjen e Fuqive të Mëdha, rezultuan kuptimplota, sepse në këtë mënyrë u rrit diplomatikisht forca e kombësisë shqiptare, përkundrejt shteteve të Lindjes. Gjithashtu u arrit edhe kombëtarizimi i kryengritjeve në Shqipëri, me qëllim që tu jepej një peshë më e rëndësishme negociatave që do të zhvilloheshin dhe do të shërbente si një presion ndaj autoriteteve osmane. Si rezultat i një takimi të realizuar në Stamboll në fund të vitit 1911, i organizuar nga Ismail Qemali dhe Hasan Prishtina, u shpalos dhe përpunua plani për organizimin e një kryengritjeje të përgjithshme shqiptare në vitin 1912, që do të fillonte në Kosovë, kurse pastaj do të përhapej edhe në hapësirat e tjera shqipfolëse, por si rezultat i ngjarjeve që ndodhën gjatë vitit 1912, ideja për një shtet shqiptar mbetej akoma një mundësi shumë e largët.

          Protestat e shqiptarëve filluan kur ata nisën të perceptonin se mbrojtja dhe ruajtja e të drejtave ekzistuese po kërcënoheshin. Në këtë mënyrë, nacionalizmi shqiptar përputhet me idetë e nacionalizmit mbrojtës. Promovimi i një identiteti shqiptar u materializua, jo për hir të vetvetes, por në përpjekjen për të mbrojtur privilegje dhe të drejta të vjetra, të cilat tanimë veçse i kishin fituar. Fakti që ata të gjithë flisnin shqip, do të shërbente si unifikues kyç, edhe pse në fusha të tjera kishte edhe dallime. Andaj, gjuha do të përbënte një bazë mbi të cilën do të përcaktoheshin fushat në të cilat ata mund të kërkonin autonominë.

          Shqiptarët e vendosën Shqipërinë në kornizat e gjuhës së kohës, gjë që përputhej me rastin e tyre, duke i dhënë kështu një bazë politike, me ç’rast kjo u bë në përpjekje për t’u shfaqur të arsyeshëm dhe të moderuar, si dhe për të siguruar mbështetjen e Portës dhe të Fuqive të Mëdha. Edhe pse në fillimet e këtyre organizimeve këto thirrje për reforma në emër të gjithë shqiptarëve i donin në suaza të Perandorisë Osmane, duke e parë këtë një garant nga ambiciet e shteteve fqinje, si reagim të veprimeve të shteteve të Lidhjes Ballkanike, kërkesat shqiptare do të radikalizoheshin dhe do të prireshin drejt pavarësisë.

 

Shënim: Idetë për këtë opinion janë marrur dhe përpunuar nga autori Nicola Guy, nga libri i tij “Lindja e Shqipërisë”.

Artikulli i publikuar në Foldrejt.com 

www.foldrejt.com/ambiciet-kombetare-dhe-shpallja-e-shtetit-shqiptar-ne-vitin-1912/

Back

Contact

Fisnik Mucha

© 2020 All rights reserved.

Make a website for freeWebnode