Çelësat e Shtëpisë së Bardhë

08/11/2020 00:00

Shkruan: Fisnik N. Muça, Doktor i Shkencave Politike

Sipas të dhënave të para preliminare dhe nga projektimet e pothuajse të gjitha televizioneve kombëtare në SHBA, Joe Biden është zgjedhur presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i cili jo vetëm që ka fituar 290 vota elektorale dhe pritet që të fitojë edhe 16 vota elektorale të Xhorxhisë, ku numri total do të shkojë në 306, gjithashtu është edhe në epërsi edhe sa i takon votës popullore, ku diferenca aktuale është diku 4.3 miliona vota karshi kandidatit aktual nga partia republikane, Donald Trump. Edhe përskaj bindjeve personale politike, kam besuar thellësisht dhe në mënyrë objektive që kandidati demokrat do të jetë fitues i zgjedhjeve për president të SHBA-ve, duke u bazuar në modelin e “13 çelësave të Shtëpisë së Bardhë”, i zhvilluar në vitin 1981 nga historiani Allah Lichtman dhe shkencëtari rus Vladimir Keilis-Borok. Ndoshta duket çmenduri që të gjitha bindjet dhe parashikimet t’i vendosësh vetëm se në një model për parashikimin e zgjedhjeve, ajo që më shtyri që të analizoj dhe studioj këtë metodë të parashikimit, është që autori në fjalë ka parashikuar saktësisht të gjitha zgjedhjet presidenciale që nga viti 1984 e deri në ditët e sodit dhe që nuk ka dështuar asnjëherë. Padyshim që suksesi qëndron në atë që ky model është ndërtuar në atë formë, që bazohet jo në parashikime të yjeve dhe animit politik, por në atë sesi elektorati amerikan do të zgjedh presidentin e ardhshëm bazuar në performancën e partisë e cila është në pushtet dhe kontrollon Shtëpinë e Bardhë, gjë që matet nga ngjarje dhe çështje që i takojnë: lulëzimit apo rënies ekonomike; sukseset apo dështimet në politikën e jashtme, trazirat shoqërore; skandalet dhe inovacionet në politika.

Allah Lichtman, në një intervistë të dhënë për DW, duke u bazuar në “çelësat e tij” për Shtëpinë e Bardhë, ka parashikuar që fitues i zgjedhjeve do të jetë Joe Biden, pasiqë duke u bazuar në të vërtetat(true) dhe të pavërtetat(false), në 13 pyetjet, kanë rezultuar që 7 të jenë të pavërteta sa i takon presidentit aktual, gjë që i jep përparësi partisë dhe kandidatit që sfidon pushtetin. Andaj, bazuar në këto të dhëna, por edhe në rezultatet e zgjedhjeve në SHBA, çelësat e Shtëpisë së Bardhë i takojnë kandidatit demokrat Joe Biden. Zgjedhjet presidenciale të SHBA-ve mund të thuhet që janë zgjedhjet më të ndjekura dhe shikuara nga të gjitha zgjedhjet e shteteve të tjera. Njëlloj sikurse amerikanët, edhe njerëz të tjerë në botë besojnë që presidenti i SHBA-ve është njeriu më i fuqishëm në planet. Edhe duke u bazuar në teorinë e marrëdhënieve ndërkombëtare, presidenti de jure i botës është presidenti i Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, ndërsa presidenti de facto i botës, është ai i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Edhe pse nëpërmjet votës, është zgjedhur presidenti i 46-të i SHBA-ve, në ditët në vazhdim pritet që të shohim reagimin e presidentit aktual dhe kandidatit për president, i cili në bazë të postimeve të tija në rrjetet sociale, por edhe nëpërmjet konferencave për shtyp, si duket është duke kontestuar procesin zgjedhor dhe ka kërkuar që të ndalohet numërimi, duke mos u konsideruar votat që vinin nëpërmjet postës. Sipas një pjese të madhe të vëzhguesve të zgjedhjeve dhe analistëve, njëlloj sikurse zgjedhjet presidenciale Bush vs Gore, edhe zgjedhjet e këtij viti do të përfundojnë përpara Gjykatës Supreme të SHBA-ve, çështje gjë do të bazohet në fletëvotimet e dërguara nëpërmjet postës. Edhe pse nëpërmjet sondazheve për mënyrën e votimit, diku 60% të demokratëve janë deklaruar që do të dërgojnë fletëvotimet e tyre nëpërmjet postës dhe që nga 1 nëntori më shumë se 93 milionë amerikanë kishin dërguar fletëvotimet e tyre, Trump i ka quajtur ato si “shumë të rrezikshme për shtetin”, “një katastrofë”, bilës edhe zgjedhjet presidenciale i ka quajtur si “zgjedhjet më të manipuluara në histori”. Padyshim që situata me ballafaqimin me pandeminë e COVID-19, ka rezultuar në atë që një pjesë e madhe e votuesve të dërgojnë fletëvotimet e tyre nëpërmjet postës, ku në bazë të rezultateve dhe sondazheve, pjesa më e madhe e votave janë të destinuara për demokratët. Siç duket, presidenti aktual po “prish” traditën e urimit të kandidatit fitues dhe që do të zgjedh rrugën gjyqësore për të kontestuar zgjedhjet.

Artikulli i publikuar në Foldrejt.com 

www.foldrejt.com/celesat-e-shtepise-se-bardhe/

Back

Contact

Fisnik Mucha

© 2020 All rights reserved.

Make a website for freeWebnode