Është vrarë i gjithë njerëzimi…

03/11/2020 00:00

Fisnik N. Muça, Doktor i Shkencave Politike

Sulmet e mbrëmshme në Vjenë sikur nuk më lënë të shkëputem të shkruaj për tema të cilat kanë të bëjnë me terrorizmin, sidomos kur kjo bëhet në emër të fesë dhe Zotit. Padyshim që ajo që ndodhi mbrëmë në zemër të Evropës është një sulm terrorist që nuk ka asnjë arsyetim dhe çdo njeri që ka zemër, pavarësisht përkatësisë fetare, kombëtare apo racore, duhet që të dënojë sulme të këtilla dhe të distancohet nga ato. Ajo çka më shqetësoi më tepër, edhe pse nuk është e konfirmuar zyrtarisht nga qeveria austriake, është prejardhja shqiptare e vrasësit, që realisht më rëndon edhe më tepër shpirtërisht, duke e ditur faktin që Austria është një mik i vjetër i shqiptarëve. Edhe pse terrorizmi nuk ka fe apo komb, lajmi i tillë shpeshherë është edhe tendencioz, ku veprimet personale të një individi, kalojnë sikurse që të jenë veprime të një grupi shoqëror apo kombi. Shqiptarët myslimanë, por edhe shqiptarët të besimeve të tjera fetare, ndër shekuj e kanë dëshmuar sjelljen e tyre, qoftë në trojet e tyre, por edhe nëpër vende të ndryshme të botës, ku jo vetëm që kanë qenë një model i përparimit dhe tolerancës, por kanë kontribuar edhe në procese të rëndësishme të zhvillimit të shoqërisë. Aspekti fetar i shqiptarëve gjithmonë ka qenë një faktor i rëndësishëm i bashkëjetesës dhe të kuptuarit të të tjerëve, edhe pse ka raste individuale të sjelljeve të ndryshme dhe nuk mund të përshkruhen si të përgjithshme.

Myslimanët në Evropë duhet që të kuptojnë faktin që sidomos pas Luftës së Dytë Botërore, numri i tyre në vendet evropiane ka arritur diku 19 milionë apo që përbën diku 3,8% të popullsisë të vendeve të Bashkimit Evropian. Andaj, përgjegjësia e sjelljeve dhe kuptimi i rrethanave specifike të këtyre vendeve ku ata kanë emigruar, do të jetë një faktor i rëndësishëm sesi ata do të zhvillojnë jetën e tyre konform ligjeve dhe rregullave të shoqërive të cilat ata kanë  zgjedhur për të jetuar. Shpeshherë, mungesa e dijes së mirëfilltë që buron nga Kurani dhe tradita profetike, si dhe pasojat të cilat kanë mbetur si rezultat i mërgimit që në të shumtën e rasteve ka qenë i rëndë, shtuar këtu edhe ndjenja e të qenurit të huaj dhe problemet ekonomike me të cilat ballafaqohen, ka ndikuar në atë që myslimanët ta shohin veten të huaj në kontinentin evropian.

Myslimanët që jetojnë në Evropë, pavarësisht përkatësisë të tyre kombëtare, duhet që fillimisht të bëjnë dallimin mes dy gjendjeve dhe atë: Darul-Selam (gjendja e paqes) dhe Darul-Harb(gjendja e luftës). Është e vërtetë që një pjesë e konsiderueshme e shteteve me shumicë myslimane në Lindjen e Mesme dhe Afrikë janë në gjendje lufte, por nuk është gjendja e njëjtë edhe me vendet evropiane. Të gjitha shtetet e Bashkimit Evropian, pa asnjë përjashtim, janë në “gjendjen e paqes”, sepse nuk janë në luftë me asnjë shtet dhe nuk kanë luftë civile brenda shtetit të tyre. Në një gjendje krejtësisht të zakonshme, duhet të kuptojmë që funksionon ligji dhe shtetit i së drejtës, andaj edhe jeta e përditshme, përfshirë këtu edhe jetën fetare, duhet të rrjedh në këtë mënyrë. Myslimanët që jetojnë në Evropë duhet që të kuptojnë se cilat janë prioritetet e tyre dhe të inkuadrohen në të gjitha sferat e jetës të shoqërive evropiane dhe kjo duke mos shkelur asnjë nga parimet të cilat janë parësore sipas besimit islam. Ajo çfarë ndodh sot me disa myslimanë në Evropë, është se janë paraqitur dy ekstreme krejtësisht të kundërta:

  • Ata të cilët dëshirojnë që të asimilohen duke hequr dorë nga të gjitha vlerat e tyre kombëtare dhe fetare; si dhe
  • Ata të cilët në formë revolte radikalizohen, në këtë mënyrë duke refuzuar edhe gjërat pozitive të civilizimit evropian, por që edhe këto sjellje, padyshim që nuk kanë të bëjnë me parime Islame, sidomos me mësimet Kuranore dhe ato të traditës profetike.

Në gjithë këtë, duhet gjetur mesi i artë dhe ajo është padyshim të qenurit mysliman evropian. Parimet dhe mësimet e Kuranit, të cilat duhet të jenë të tilla sikurse i mësonte dhe shpjegonte profeti Muhammed, dhe jo të përvetësuara për qëllime politike dhe grupore, duhet që të jenë udhëzuesi sesi myslimanët duhet të sillen në Evropë. Të jesh mysliman evropian, nuk don që të thotë që të lësh anash obligimet fetare apo të jepesh pas mëkateve, por të jesh një shembull i dijes, moralit dhe punëtorit të ndershëm. Nga ana tjetër, sjelljet e disa individëve sikurse ato që pamë në Vjenë, të cilat në shikim të parë duken si aktorët që luajnë në ndonjë film, por realisht janë duke marrur jetë njerëzish, janë veprime që aspak nuk kanë të bëjnë me mësimet e vërteta të Islamit. Sikur këta individë të cilët kryejnë sulme të tilla, të kenë lexuar vetëm se ajetin Kuranor ku Zoti thotë: “Kushdo që vret një njeri të pafajshëm, është sikur ta ketë vrarë tërë njerëzimin…”, atëherë jo vetëm që duhet të tmerrohen në këtë botë për atë krim që kanë bërë, por duhet që ta dinë që ai krim është një mëkat shumë i madh dhe pabesi ndaj Fjalët të Zotit.

Artikulli i publikuar në Foldrejt.com 

www.foldrejt.com/eshte-vrare-i-gjithe-njerezimi/

Back

Contact

Fisnik Mucha

© 2020 All rights reserved.

Make a website for freeWebnode