Fjalë nga profeti drejtuar njerëzimit

31/10/2020 14:33

Shkruan: Fisnik N. Muça, Doktor i Shkencave Politike

Sikur po duket bota nuk po gjen rahatinë! Përsëri një sulm ka ndodhur në Francë, ku janë sulmuar tre vizitorë në kishën kryesore të Nicës, respektivisht bazilikën Notre Dame, ku si pasojë humbën jetën tre persona dhe ka pasur disa të plagosur. Sikurse edhe në raste të tjera të ngjashme, edhe këto ngjarje u atribuohen myslimanëve, ku padyshim që faji qëndron edhe te dorasi i cili kur kryen një akt të tillë barbar dhe jonjerëzor thirret në fe, në këtë mënyrë duke lënë hapsirë që të tjerët ta identifikojnë në këtë mënyrë. Nuk ka dyshim që krimi dhe terrorizmi nuk ka fe, por mbështetet në ideologji të cilat shpeshherë janë pjellë e mendjes njerëzore, por që mund të përhapen edhe në një grup të caktuar shoqëror.

Në këtë shkrim nuk do të shkruaj për atë se kush ishte Muhammedi a.s. dhe cila është pozita e tij në Islam, sepse ai veçse është i lavdëruar nga Zoti në Kuran dhe është i respektuar jashtë mase nga pasuesit e devotshëm të Islamit. Të gjithë ata të cilët kryejnë vepra mizore dhe barbarizëm në emër të tij, padyshim që janë larg virtyteve të tij të larta dhe frymës së tij mëshiruese. Disa nga fjalët e tij të fundit, të cilat i ua ka thënë myslimanëve, por edhe mbarë njerëzimit në hutben lamtumirëse , mund ti radhisim si në vijim:

  • … Bëhuni të njerëzishëm e të drejtë ndaj vetës e ndaj të tjerëve…;
  • Ruani, respektoni dhe nderoni vlerën e personalitetit njerëzor;
  • Njeriu është vepër madhështore e Allahut dhe mjerë për atë kush e përçmon nderin dhe dinjitetin e veprës së Allahut;
  • Gjakmarrja është e ndaluar, të gjitha akuzat e këtilla të cilat rrjedhin nga koha e para Islamit, anulohen;
  • O besimdrejtë! Largohuni nga ngatërresat dhe përgojimi;
  • Unë po ua lë Librin e Allahut – Kuranin, i cili nëse i përmbaheni, gjithnjë do t’ju ruajë që të mos e humbni rrugën e drejtë, rrugën e drejtësisë dhe të së vërtetës.

Pra, këto janë disa porosi të profetit Muhammed të cilat u shënuan dhe mbetën pjesë e historisë botërore, të cilat sot më tepër se kurrë duhet që të jenë një ekzemplar sesi duhet të sillet një mysliman apo edhe një qenie njerëzore. Këto janë fjalët me të cilat profeti Muhammed iu drejtua mbarë njerëzimit me të vetmin qëllim: që të mbizotërojë paqja dhe dashuria mes racës njerëzore.

Profeti Muhammed edhe kur dërgonte letra ndaj perandorëve dhe mbretërve të kohës, atë e bënte me një delikatesë, ku gjithmonë thirrej në pikat e përbashkëta, e jo në ato ndarëse. Në vazhdim kemi letrën të cilën ia dërgoi Herakli Çezarit, i cili ishte perandori më i madh i botës perëndimore në atë kohë:

“ Në emër të Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

                        Prej Muhammedit, që është rob i Allahut dhe i Dërguar i Tij, drejtuar Herakli Çezarit

Paqja qoftë mbi atë që pason rrugën e drejtë. Unë ju ftoj të pranoni Islamin. Nëse dëshironi siguri, pranoni Islamin. Nëse pranoni Islamin, Allahu do t’iu shpërblejë juve dyfish, nëse refuzoni të veproni kështu, përgjegjësia për gabimet e të gjithë atyre që janë nën sundimin tënd do të jetë juaja.

O pasues të Librit! Lini menjanë  të gjitha mosmarrëveshjet dhe polemikat dhe pajtohuni në një çështje, e cila është e njëjtë dhe e pakundërshtueshme për të dy palët dhe që na përket edhe neve edhe juve dhe kjo se nuk duhet të adhurojmë askënd tjetër përveç Allahut dhe as të nderojmë ndokënd tjetër përveç Tij, si Mbështetësin tonë.

Nëse ju e mohoni këtë, duhet ta dini që, në çdo rrethanë, ne besojmë në Një të Vetmin Allah. “

Kjo letër e profetit Muhammed që ia ka dërguar Herakliut, duhet që të jetë edhe një model për të gjithë myslimanët sesi duhet që të komunikojnë atë që mendojnë që është e vërtetë dhe e drejtë. Në asnjë fjalë të kësaj letre nuk mund të shohim fjale urrejtjeje dhe përçarjeje, por as edhe fjalë që nxisin luftën dhe krimin. Jo vetëm që e quan Herakliun pasues të Librit dhe e trajton në mënyrë shumë njerëzore, por në pjesën e dytë të letrës i drejtohet që të lënë anash polemikat dhe mosmarrëveshjet. Kurse, fundi i kësaj letre është pikërisht ajo të cilën myslimanët duhet që ta marrin si shembull, pra që “nëse ju mohoni diçka që ne kemi të shenjtë dhe hyjnore, atëherë dijeni që ne vazhdojmë të kemi besimin tonë dhe përfundojmë këtë bisedë me paqe”.

Artikulli i publikuar në Foldrejt.com

www.foldrejt.com/fjale-nga-profeti-drejtuar-njerezimit/

Back

Contact

Fisnik Mucha

© 2020 All rights reserved.

Make a website for freeWebnode