Keqkuptimet në lidhje me sistemin tregtar të OBT-së

28/12/2020 20:34

Shkruan: Fisnik N. Muça, Doktor i Shkencave Politike

Në lidhje me sistemin shumëpalësh të OBT-së janë paraqitur paqartësi dhe keqkuptime, që kanë ndikuar tek studiues të ndryshëm për të kritikuar mënyrën e funksionimit të saj dhe për të vënë në pikëpyetje rregullat dhe parimet. Duke u bazuar në publikimet e OBT-së, ekzistojnë sëpaku 10 keqkuptime apo paqartësi për sistemin tregtar të OBT-së, të cilat nëpërmjet fakteve dhe argumenteve hidhen poshtë. Në publikimin me titull “10 common misunderstandings about the WTO”, keqkuptimet kanë kryesisht të bëjnë me atë që:

  • OBT-ja dirigjon politikat e shteteve anëtare;
  • Rregullat dhe parimet e OBT-së synojnë liberalizimin e tregtisë duke mos i marrë në konsideratë kostot me të cilat ballafaqohen shtetet anëtare;
  • Interesat tregtare janë më prioritare se sa zhvillimi ekonomik i shteteve;
  • Interesat tregtare janë më të rëndësishme se sa mjedisi jetësor;
  • Interesat tregtare sundojnë mbi shëndetin dhe sigurinë;
  • OBT-ja ndikon në shkatërrimin e vendeve të punës dhe rritjen e shkallës së varfërisë;
  • Shtetet e vogla kanë ndikim të ulët në vendimmarrje në OBT;
  • OBT-ja është mjet që lobingjet e shteteve të ndryshme të përfitojnë;
  • Vendet e varfëra janë të detyruara të anëtarësohen në OBT; si dhe
  • OBT-ja është jodemokratike.

Stiglitz mban qëndrimin që ligji ndërkombëtar i OBT-së është një ligj jo i kompletuar sa i takon tregtisë, pasi që rregullat e saj dalin si rezultat i “pazarllëkut” mes shteteve të pasura dhe atyre të varfëra, “pazarllëk” në të cilin shtetet e pasura kanë epërsi. Edhe ish kryeministri i Malajzisë Mahatir Muhamed tregtinë e cila realizohet në kuadër të rregullave dhe parimeve të OBT-së e quan një tregti e cila prodhon valuta në miliarda për vendet e pasura, kurse tek vendet e varfëra kjo vetëm thellon edhe më tepër papunësinë, ku njerëzit humbin punën, rrezikojnë sigurinë e ushqimit dhe shëndetit, bile ndonjëherë edhe jetën.

Sa i takon asaj që OBT-ja dirigjon politikat e shteteve anëtare dhe duke u bazuar ne legjislacionin e kësaj organizate dhe në marrëveshjet e nënshkruara, mund të themi që OBT-ja është organizatë e cila administrohet dhe udhëhiqet nga qeveritë e shteteve anëtare. Negociatat mes shteteve çojnë deri në derivimin e rezultateve të marrëveshjeve mes qeverive të shteteve anëtare, rregulla të cilat njëkohësisht kanë miratimin e parlamenteve të shteteve. Duke marrur parasysh faktin që marrëveshjet merren me konsensus të të gjithë anëtarëve, mund që të merret qëndrim që OBT-ja është një sistem tregtar shumëpalësh që është i bazuar kryesisht në parimet demokratike dhe mirë të analizuara. Marrëveshjet e OBT-së në realitet janë marrëveshje të cilat shtetet veçse i kanë pranuar, andaj pas miratimit të tyre dhe hyrjes në fuqi, kërkohet që ato të respektohen nga vendet anëtare konform rregullativës së OBT-së. E vërteta e këtij keqkuptimi është që: Qeveritë e shteteve anëtare janë ata që kontrollojnë dhe dirigjojnë sistemin shumëpalësh të tregtisë, kurse puna e Sekretariatit të OBT-së është që të jep përkrahje administrative dhe teknike, si për OBT-në, poashtu edhe për implementuesit e parimeve të OBT-së nga shtetet anëtare.

Fakti që parimet dhe rregullat e OBT-së janë në shërbim të liberalizimit të tregtisë, jodomosdoshmërisht nënkupton që shtetet duhet të reduktojnë apo eliminojnë tërësisht tarifat doganore. Në këtë rast vinë në shprehje negociatat mes shteteve anëtare dhe interesat e përbashkëta, ku bisedohet se sa duhet të ulen barrierat doganore, që të mos ndikojnë negativisht në ekonomitë e shteteve anëtare.  Të gjithë rregullat e OBT-së që kanë dalur si rezultat i marrëveshjeve, mundësojnë të ketë një hapsirë të konsiderueshme kohore për të liberalizuar tregtinë nëpërmjet eliminimit apo uljes të tarifave doganore. Ekspertët dhe analistët të cilët merren me këto çështje, llogarisin të gjithë efektet negative me të cilat mund të ballafaqohen vendet në zhvillim dhe vendet e varfëra. Këta analiza dhe studime, u dorëzohen shteteve të cilat nuk kanë përvojë në këtë aspekt, për t’u treguar se si duhet të mbrojnë prodhuesit vendor dhe se si qeveria duhet të reagojë në raste kur dëmtohet ekonomia kombëtare.  Një rast i tillë është me çmime të ulëta të importit, të cilat llogariten si jo të drejta, andaj në këtë rast veprohet me masat antidumping apo ato të cilat kanë të bëjnë me kontrollin e subvencioneve të eksportit. Sa i takon këtij keqkuptimi mund të thuhet se: OBT-ja nuk është me çdo kusht për liberalizim të tregtisë, por që rëndësi më të madhe kanë parimet e sistemit tregtar të OBT-së siç janë: jodiskriminimi dhe krijimi i kushteve të nevojshme për një tregti stabile, transparente dhe të parashikueshme.

“Marrëveshjet përfshijnë shumë dispozita që veçanërisht shkojnë në llogari të interesave të shteteve në zhvillim” , andaj edhe reagimi i mendimtarëve që interesat tregtare të OBT-së janë më të rëndësishme se zhvillimi ekonomik është i pabazë, pasi që rregullat e OBT-së nxisin rritjen ekonomike dhe zhvillimin e shteteve. Në fakt, pikëprerja mes interesave tregtare dhe zhvillimit ekonomik është ajo çka më së shumti kërkohet që të arrihet.

Preambula e Marrëveshjes së Marakeshit për themelim të OBT-së, mes shumë objektivave të tjera, përfshin edhe shfrytëzimin optimal të resurseve botërore, duke nxitur zhvillim të qëndrueshëm dhe mbrojtje të mjedisit jetësor. Rasti kur lejohet përdorimi i subvencioneve është pikërisht mbrojtja e ambientit jetësor. “Objektivat për mjedisin jetësor janë të pranuara në mënyrë të veçantë në marrëveshjet e OBT-së që kanë të bëjnë me standardet e produkteve, sigurinë e ushqimit, mbrojtjen e pronësisë intelektuale, etj.”  Klauzolat kyçe në marrëveshjet e GATT-it, e më pastaj të OBT-së, u lejojnë qeverive të ndërmarrin veprime për të mbrojtur shëndetin njerëzor, kafshët dhe botën bimore. “Rregulloret e sigurisë nuk duhet që të jenë hapa të fshehura të proteksionizmit”. Kriteret të cilat janë vendosur nga ana e OBT-së në aspekt të aplikimit të masave mbrojtëse në aspekt të mjedisit jetësor, sigurisë dhe standardeve, duhet të jenë të bazuara në kërkime shkencore apo në standarde të cilat janë të pranuara ndërkombëtarisht. Codex Alimentarius, është një shembull konkret i standardeve të cilat rekomandohen të përdoren për sa i përket sigurisë së ushqimit, që përdoren edhe nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqim dhe Bujqësi (FAO) dhe nga Organizata Botërore e Shëndetësisë(WHO).

Skeptikët e OBT-së, janë të shqetësuar për ndikimin e globalizimit të tregjeve në punët e tyre dhe gjendjen e botës, duke vënë në pikëpyetje rolin e OBT-së në një botë shumëdimensionale dhe me shumë probleme. Andaj, sipas autorit Jones , “ata janë pjesë e grupeve të ndryshme, të cilët kanë interesa dhe prioritete ekonomike dhe jo-ekonomike. Për shembull disa janë të shqetësuar për humbjen e  punës së tyre si rezultat i konkurrencës ndërkombëtare; të tjerë kanë fabrika dhe asete kapitale të cilat kërcënohen nga importi”. Gjithashtu kritika jepen edhe në aspekt të asaj që OBT-ja vepron padrejtësisht duke mos monitoruar të drejtat njerëzore dhe standardet e punës. “Puna e fëmijëve dhe fabrikat e tekstilit ku janë të punësuar punëtor me paga të ulëta (sweatshops) janë praktika të punës të cilat dënohen rreptësisht. Janë të përhapura në ekonominë botërore dhe fatkeqësisht janë fakt i jetës së përditshme në pjesën më të madhe të shteteve të varfëra” . Është e vërtetë që lidhja mes tregtisë dhe punësimit është shumë e ndërlikuar, njëlloj sikurse që janë të ndërlidhura tregtia dhe drejtësia. Shtetet me ekonomi të fuqishme që kanë qëndrueshmëri ekonomike afatgjate, kanë më shumë kapacitet për të hapur vende të reja të punës, që mbase  nuk është i njëjti realitet në vendet në zhvillim dhe tek ato më pak të zhvilluara, ku numri i vendeve të punës është shumë i vogël, sidomos në sektorin privat. Kompanitë eksportuese kanë kapacitetet që të rrisin numrin e vendeve të punës apo këta të punësuar në këto sektorë kanë një siguri më të madhe në aspekt të vendit të punës dhe kryesisht paguhen mirë. Sipas publikimit të OBT-së, “afro 1.1 miliardë njerëz akoma jetojnë në varfëri, studim ky i bërë nga Banka Botërore, që tregton se liberalizimi i tregtisë qysh pas Luftës së Dytë Botërore ka kontribuar që miliarda njerëz të dalin nga varfëria. Ky hulumtim gjithashtu tregon që është e pavërtetë të thuhet që liberalizimi ka rritur pabarazinë”. E vërteta është që vende pune mbyllen, kurse të tjera hapen, ndërsa sa i takon varfërisë është vështirë të thuhet që kjo normë është ulur, sidomos duke parë mënyrën e jetesës në Afrikë dhe Lindjen e Mesme. Gjithsesi, OBT-ja nuk është shkaktare e këtyre ndodhive, por që varfëria dhe humbja e vendeve të punës ka ekzistuar gjithmonë.

Ideja që shtetet e vogla dhe ato të “pafuqishme” nuk kanë të drejtë në vendimmarrje në OBT, duke u bazuar në rregullat dhe parimet e OBT-së është e pavërtetuar. Duke patur parasysh izolimin e shteteve të vogla dhe të varfëra, me anëtarësimin në OBT marrin të drejtën për të negociuar dhe për ndërmarrë veprime kundër partnerëve të fuqishëm tregtar. Edhe pretendimi që OBT-ja është mjet i lobingjeve dhe kompanive të fuqishme mbetet i pavërtetuar. Mund  të ndodhë që pjesëmarrësit në takimet të OBT-së të kenë interesa në këtë aspekt, por duke u bazuar në rregulloret me të cilat zhvillohen takimet në OBT, qeveritë pikërisht shfrytëzojnë këto takime për të kontrolluar presionin i cili mund të vjen nga lobingje të shteteve të ndryshme në shtetin e tyre.

Asnjë shtet nuk është i detyruar të anëtarësohet në OBT, por janë interesat e shteteve dhe pjesëmarrja në arenën ndërkombëtare të tregtisë, që hapin debate mes zyrtarëve të lartë dhe ekspertëve për të marrë vendim për anëtarësim apo mosanëtarësim në OBT. Çdo shtet ka për synim që të përfitojë ekonomikisht nga anëtarësimi duke negociuar në formë shumëpalëshe me shtete në aspekt të partneritetit të tregtisë. Negociatat dhe marrëveshjet dypalëshe shpeshherë rezultojnë në favor të shtetit më të fuqishëm, kurse shtetet e vogla pas anëtarësimit në OBT rrisin fuqinë e tregut duke formuar aleanca me shtete me të cilat kanë interesa të përbashkëta. Duke u bazuar në gjithë këtë, mund  të themi që OBT-ja është një organizatë demokratike, ku vendimet merren me konsensus, të ratifikuara nga parlamentet e shteteve anëtare.

Artikulli i publkuar në Foldrejt.com 

www.foldrejt.com/keqkuptimet-ne-lidhje-me-sistemin-tregtar-te-obt-se/

Back

Contact

Fisnik Mucha

© 2020 All rights reserved.

Make a website for freeWebnode