Të jetosh me pandeminë e shekullit

11/12/2020 15:15

Shkruan: Fisnik N. Muça

Në prill të vitit 2020 u mbushën plot 100 vjet nga përfundimi i pandemisë të shekullit të kaluar apo i njohur ndryshe si gripi spanjol që zgjati më tepër se dy vjet. Nga ky grip u infektuan diku 500 milionë njerëz, që përfshinte diku 1/3 e popullatës të asaj kohe, kurse si rezultat i infektimit me këtë virus, mendohet se të kenë humbur jetën prej 17 milionë deri në 50 milionë njerëz në mbarrë botën. Sikur njerëzit e asaj kohe, të cilët në prag të përfundimit të Luftës të Parë Botërore u ballafaquan me një virus shumë të “egër” dhe vrasës, poashtu edhe ne, njerëzit e shekulli 21, ballafaqohemi me sprova të njëjta. Në momentin kur jam duke shkruar këtë artikull, numri i atyre që janë infektuar me këtë virus ka arritur diku 71 milionë, kurse kanë humbur jetën diku 1.6 milionë njerëz në mbarrë botën, ku pjesa më e madhe në SHBA, Brazil, Indi dhe Meksikë, kurse çuditërisht, vendi nga ku nisi rasti “zero”, i kësaj pandemie, Kina, ka vetëm se 3 të vdekur në 1 milionë banorë. Maqedonia e Veriut, është e radhitur e 6-ta në Evropë, sa i takon numrit të vdekjeve në 1 milionë banorë, që është një shifër goxha shqetësuese.

Nisa këtë artikull me shifra, për të treguar atë se sa serioze është situata me të cilën është duke u ballafaqur mbarë bota, dhe se si një virus mikroskopik ka gjunjëzuar edhe shtetet më të fuqishme të globit. Pasojat e pandemisë të cilën është duke e përjetuar pothuajse çdo njeri, bilës edhe popullata që jeton në fshatrat më të thella, mund të ndjehen në çdo sferë të jetës. Për dallim nga gripi spanjol, ku shtetet dhe popullata nuk ishin të alarmuar në nivelin që jemi ne sot dhe kjo shkak i zhvillimit të shpejtë të mjeteve teknologjike, sot pothuajse të gjithë ndajnë nga koha e tyre për të biseduar edhe disa fjalë se si ky virus është duke shkatërruar njerëzimin.

Nga ky virus, pothuajse të gjithë kemi humbur ndonjë të afërt, mik apo dashamir, andaj të rrallë janë ata që me neglizhencë trajtojnë rrezikun që vjen nga infektimi. Fillimisht, pasojat nga kjo pandemi janë në humbjen e jetës së njerëzve, gjë që ka gjunjëzuar edhe sistemin shëndetësor në mbarrë botën. Mjekët dhe stafi mjekësor, të lodhur dhe stërkapitur, sikur çdo ditë të tyre janë duke jetuar në ëndërr, janë në frontin e parë me këtë pandemi. Sikur duket, kjo që ndodhi, na gjeti të papërgatitur të gjithëve, me theks të veçantë edhe hulumtuesit më të mëdhenj të shpikjeve të mjekësisë moderne. Gjithsesi, javën që kaloi, me daljen e vaksinës të sofistikuar dhe e para e llojit të saj në botë, tek popullata dhe mjekët janë shtuar shpresat, edhe pse ka edhe skeptikë në këtë aspekt. Në këtë pjesë, dëshiroj të shtoj që si njerëz të përgjegjeshëm, duhet që fillimisht duhet të kujdesemi për shëndetin tonë, të familjes tonë, por edhe të njerëzve të tjerë që na rrethojnë. Këtë “luftë” me një armik shumë të imët por të fuqishëm, mund që ta fitojmë vetëm se duke respektuar masat dhe rekomandimet, ku disa prej tyre janë pjesë e pastërtisë dhe duhet të mbesin edhe shprehi tona në jetën e përditshme.

Të jetosh me pandeminë e shekullit, nënkupton që të ballafaqohesh edhe me kriza psigjike, sepse informacionet e shumta, por ndonjëherë edhe ato të rreme sa i takon kësaj çështjeje, kanë ndikuar që shumë njerëz të kaplohen nga paniku, e gjithë kjo duke u shoqëruar me stres, ankth dhe depresion. Çdonjëri duhet të zgjedh metodën e tij për të zgjidhur këtë problem, sepse të jetosh me frikën e virusit, është njëlloj sikur të vdesësh nga ai. Këtu nuk dëshiroj që të keqkuptohem, sepse kjo nuk nënkupton neglizhencën, por pasiqë të kemi marrur masat e nevojshme dhe të kemi respektuar rregullat, atëherë të mbështetemi tek Zoti dhe të kërkojmë mbrojtjen e Tij.

Të jetosh në këtë shekull i shoqëruar me këtë virus, gjithashtu do të jesh edhe një dëshmitar i një rënie shumë të thellë ekonomike, si në nivel botëror, poashtu edhe në atë lokal. Shikuar nga këndvështrimi lokal, atëherë është shumë e dukshme kjo rënie ekonomike, sidomos me karantimin dhe mos ardhjen e mërgimtatëve, të cilët janë një bosht shumë i rëndësishëm i ekonomisë vendase. Edhe pse kriza financiare e viteve 2008-2012, kishte efekte negative në ekonominë botërore, masat restriktive të aplikuara gjatë vitit 2020, kanë ndikuar që shumë kompani të reduktojnë prodhimin e tyre, apo të ofrojnë shërbime të kufizuara.

Të jetosh me pandeminë e shekullit, nuk është diçka e lehtë. Jo vetëm që ka ndikuar që të ndryshojmë mënyrën e të jetuarit dhe vepruarit, por ka ndikuar edhe në mënyrën e të menduarit. Planet e shumë njerëzve janë prishur, kurse plane të reja janë thurrur, kurse mbi të gjitha mbetën shëndeti. Edhe përskaj shumë sprovave të tjera, ballafaqimi me sëmundjen është më i vështiri, sepse në ato momente të gjithat sprovat e tjera harrohen. Lutja ime e përzemërt është që t’i kthehemi normalitetit, kurse dashtë Zoti e gjithë kjo do të mbetet një ëndërr e keqe që kurrë mos u ktheftë më.

Shkrimi i publikuar në Foldrejt.com 

www.foldrejt.com/te-jetosh-me-pandemine-e-shekullit/

Back

Contact

Fisnik Mucha

© 2020 All rights reserved.

Make a website for freeWebnode