Teoritë e tregtisë ndërkombëtare

20/12/2020 18:44

Shkruan: Fisnik N. Muça, Doktor i Shkencave Politike 

Teoria moderne e tregtisë ndërkombëtare është një ndërthurje e mendimit ekonomik dhe politikave tregtare të shteteve dhe popujve gjatë shekujsh. Debati mbi atë se cilin regjim tregtar duhet të ndjekin shtetet mbetet i hapur, edhe pse në përgjithësi ekonomistët mbajnë qëndrime që sistemi i tregtisë së lirë sjell më shumë përfitime për të gjithë, në krahasim me sistemet proteksioniste të tregtisë. Sipas historianit të ekonomisë Paul Bairoch “ tregtia e lirë është një rregull, kurse proteksionizmi një përjashtim”.

Në vijim do paraqesim teoritë më të njohura që ndihmuan në zgjerimin e konceptit të tregtisë ndërkombëtare, mes tyre veçojmë:

Merkantilizmi, që është këndvështrimi ekonomik i konservatorëve si pikëpamje e marrëdhënieve ndërkombëtare, ka qenë teori dhe praktikë ekonomike që ka dominuar në pjesët e modernizuara të Evropës prej shekullit të 16-të deri në shekullin e 18-të. Merkantilistët e kësaj periudhe i kushtonin rëndësi tepricës së mallrave brenda kufijve territorial, pasi që e shihnin edhe si tepricë që do t’i shërbente fuqisë ushtarake. Teoria merkantiliste, tregtinë e jashtme e sheh si mekanizëm për të realizuar politikat qeveritare, duke pasur për synim rritjen e pasurisë dhe fuqisë së shtetit. Ishte një politikë ekonomike nëpërmjet së cilës akumuloheshin rezervat monetare, të konvertuara në ar dhe argjend, duke ruajtur saldon pozitive në bilancin e tregtisë së jashtme, sidomos në mallrat e gatshme për konsum apo përdorim. Sipas Skender Berishës, “pasi që ari dhe argjendi në botë konsiderohet si konstantë, një shtet, mund ta rrisë pasurinë dhe fuqinë e vet, vetëm në llogari të varfërimit të shteteve të tjera. Sipas termave të teorisë së lojërave strategjike, ajo quhet lojë në shumë zero. Këtë nuk e kishte të qartë doktrina merkantiliste”. Edhe pse merkantilizmi kishte për qëllim stimulimin e eksportit, ideja për të përfituar nga varfëria e të tjerëve ishte e gabuar. Ky përfitim mund të jetë afatshkurtër pasi që një popull apo shtet i cili është i varfër nuk ka kapacitet blerës dhe importues, andaj këtu qëndron edhe loja në shumë zero. Pikërisht kjo ide ishte shkak që David Hume të shkruajë esenë “Nga xhelozia për tregtinë” në vitin 1758, i cili në mënyrë të qartë kritikon dhe sulmon pikëpamjen merkantiliste sa i takon tregtisë ndërkombëtare të bazuar në lojën me shumën zero. Sipas tij të gjithë kombet mund të fitojnë nga tregtia e lirë,  duke iu falënderuar faktit që natyra ka dhënë diversitet sa i takon gjenialitetit, klimës dhe tokës,  këto të shpërndara në popuj të ndryshëm, për të siguruar marrëdhënie dhe tregti të ndërsjellët. David Hume argumentonte atë që shtetet e pasura është më mirë që të themelojnë një treg për të shkëmbyer produktet, se sa të diferencohen sa u takon burimeve natyrore, dhe të plotësojnë nevojat e brendshme dhe të jashtme.

Sipas Joshua Goldstein merkantilizmi ka të përbashkët me realizmin politik, besimin dhe idenë se çdo shtet duhet të mbrojë interesat e veta në llogari të të tjerëve, duke mos u mbështetur në parimet dhe rregullat e organizatave ndërkombëtare. Politika të tjera të merkantilizmit ishin: ndalesa e kolonive të tregtojnë me popujt e tjerë, monopolizimi i tregjeve të ushqimeve bazë,  ndalimi i eksportit të arit dhe argjendit qoftë edhe për pagesa, ndalimi i tregtisë duke shfrytëzuar anijet e huaja, subvencionimi i eksporteve, nxitja e prodhimit nëpërmjet kërkimeve shkencore apo subvencionimeve të drejtpërdrejta, kufizimi i pagave, shfrytëzimi maksimal i resurseve të brendshme, kufizimi i konsumit të brendshëm nëpërmjet barrierave jo-tarifore, hapja e kufijve për emigrantët që do të kontribuonin me fuqi punëtore, e kështu me radhë. Shumë autorë, nacionalizmin e ndërlidhin me merkantilizmin. Kështu Ahmet Mançellari këtë dukuri e paraqet si në vijim: ”Nacionalizmi paraqitet si tipar kryesor i pikëpamjes merkantiliste. Duhet shënuar se merkantilizmi nuk është një doktrinë plotësisht e kapërcyer. Sidomos në periudhat e një papunësie të lartë, rishfaqen apo forcohen pritjet proteksioniste për kufizimin e importeve dhe nxitjen e eksporteve, rishfaqen edhe pikëpamjet merkantiliste, të veshura tashmë me petkun e neomerkantilizmit”.

Teoritë klasike apo liberale, mbështeten në rregullin e tregtisë së lirë. Liberalizmi tregtar është në vijë të njëjtë me pikëpamjen liberale sa u takon marrëdhënieve ndërkombëtare. Periudha klasike e liberalizimit të tregtisë ndërkombëtare u mishërua me sloganin “laissez – faire”, që zgjati nga pezullimi i Ligjeve të Drithit(1846) deri nga fundi i viteve të 70-ta të shekullit të 19-të. Sipas Hobhouse, “shkëmbimet e lira tregtare të kombeve me njëri-tjetrin do të jepnin shkas për një njohje të ndërsjellët dhe interesat e biznesit do të shërbenin si nyja të pafundme midis popujve të ndarë. Liria e tregtisë nënkuptonte paqen. Me të parë begatinë e Britanisë së Madhe, kombet e tjera do të pasonin menjëherë shembullin e saj dhe tregtia e lirë do të bëhej universale”. Parimi i tregtisë së lirë filloi të zbatohej në Britani, gjë që ndikoi që të rritej pasuria dhe mirëqenia e popullatës që jetonte në këtë vend. Në këtë periudhë i jepet rëndësi prodhimtarisë dhe zhvillimit të industrisë, kurse shkëmbimi tregtar ishte një proces i natyrshëm dhe i nevojshëm.

Me shfaqjen e nevojës për ndarjen e punës në nivel ndërkombëtar, u përhap ideja e Adam Smithit e përparësive absolute. Kjo teori kishte për bazë specializimin e shteteve apo popujve për prodhimin e atyre mallrave të cilat mund që të prodhoheshin me shpenzime minimale dhe shteti kishte përparësi absolute, kurse me përfitimet nga shitja e tyre jashtë vendit do të importoheshin ato mallra, prodhimi i të cilave kushtonte më tepër se sa kostoja e mallit të importuar dhe ato mallra të cilat për shkak të kushteve të ndryshme nuk mund të prodhoheshin. Mendimi i Smithit bazohej në atë që përfituesit nga shkëmbimi tregtar të ishin të gjitha palët. Sipas Smithit, “avantazhet natyrore që gëzon një vend kundrejt një tjetri në prodhimin e mallrave të veçanta, janë në ndonjë rast kaq të mëdha, saqë pranohet nga të gjithë se është e kotë t’u kundërvihesh. Skocia mund të bëjë nëpërmjet serrave, shtretërve të ngrohtë e kornizave prej xhami rrush shumë të mirë e të prodhojë verë po aq të mirë, por me një kosto rreth tridhjetë herë më të lartë se ajo e verës që mund të vijë nga jashtë, të paktën, me të njëjtën cilësi”. Shembullin që jep Smithi, nënkupton që pavarësisht asaj që mund të kesh kapacitet prodhues në ndonjë mall, përderisa i njëjti mall, i cilësisë së njëjtë mund të importohet, atëherë shteti duhet të ndjekë politikën e importimit.

Të ndikuara nga teoria e Smithit, lindën edhe teoritë e tjera të cilat ishin në favor të tregtisë së lirë. Sipas David Rikardos, bartësi i teorisë së përparësive relative, shtetet do të prodhonin të gjithë ato mallra për të cilat posedoheshin burimet parësore, qoftë edhe sikur të mos kishin avantazh absolut. Sipas Rikardos me rëndësi ishte që të kishte prodhim i cili do të plasohej në një treg botëror, ku gjatë këmbimit shtetet të kishin fitim maksimal, kurse në rast që kostoja e prodhimit të ishte e lartë, humbja të ishte minimale. Sipas autorit Dunkley, “revolucioni Smith-Rikardo përfshiu njohjen e rëndësisë së mekanizmave të tregut, përfitimet nga tregtia dhe lidhjet e përgjithshme mes faktorëve ekonomik, përfshirë në tregti edhe teknologjinë dhe zhvillimin, por që asnjëri prej të dy nuk ishte dogmatik për ndikimet e doktrinave të tyre apo mendimeve se si tregtia duhej të dominonte shoqërinë”. Edhe pse teoritë e Adam Smithit dhe David Rikardos llogariten fillesat e teorisë klasike, idetë e tyre kishin lënë anash shumë elemente të tjera të cilat formonin modelin e funksionimit të tregtisë.

Duke marrur parasysh që teoritë e përparësive kishin nevojë që të plotësohen dhe t’u përshtaten nevojave të kohës, John Stuart Mill inkuadroi elementin e kërkesës, që akoma më tepër hap dyert për tregtinë e lirë. Sipas Mill, shkëmbimi tregtar i konvertuar në një çmim, realizohet në atë fazë kur kemi pikëprerjen e dy elementeve: ofertës dhe kërkesës. Në terma të tregtisë ndërkombëtare, kjo nënkuptonte që të arrihej një ekuilibër mes importit dhe eksportit të mallrave. Mill jetoi në kohën e “artë” të vënies në praktikë të teorive liberale, andaj kishte mundësi që të detektojë të gjithë ato nevoja dhe elemente që sistemit të tregtisë së lirë t’i jepnin një forcë dhe shtytje më të madhe.

Proteksionizmi është politikë ekonomike që ka për synim të kufizojë tregtinë mes shteteve, nëpërmjet tarifave doganore, kuotave të kufizimit të importit dhe rregullave të ndryshme të cilat aplikohen nga qeveria.  Teoritë proteksioniste mbështeten në idenë që politikat kufizuese mbrojnë prodhuesit vendor dhe bizneset e reja nga konkurrenca e jashtme. Përkrahësit e këtyre ideve favorizojnë dhe vënë në praktikë politika, për të ulur deficitin tregtar në bilancin e tregtisë së jashtme, u japin mbështetje industrive vendase për të rritur prodhimin e tyre dhe për të rritur numrin e punëtorëve, si dhe politika të tjera të ngjashme. Politikat të cilat janë përdorur për t’u arritur qëllimi proteksionist kanë përfshirë: tarifat doganore, pengimi i investitorëve të huaj për të blerë kompanitë vendase apo për të investuar,  kuotat e importit, barrierat administrative në import, subvencionet e drejtpërdrejta, subvencionet e eksportit, kontrolli i kursit të këmbimit, kampanjat qeveritare për të propaganduar konsumin e brendshëm për produktet vendore, sistemet ndërkombëtare të patentimit, e shumë të tjera. “Vepra e parë dhe kryesore në të cilën u shprehën konceptet proteksioniste ishte vepra e ministrit amerikan të financave Aleksandër Hamilton me titull “Raporti mbi prodhimin”. Në këtë vepër, Hamiltoni preferoi domosdoshmërinë e mbrojtjes së industrisë kombëtare, që ishte në zhvillim e sipër, kurse hasi në konkurrencë të fortë të mallrave superiore industriale britanike. Argumentet, që në literaturën ekonomike për herë të parë i paraqiti Aleksandër Hamiltoni, më vonë i përpunoi sistematikisht ekonomisti gjerman Fridrih List…”. Pra, nga vendi më kapitalist dhe promovues i tregtisë së lirë, kanë dalur ide dhe propozime për të mbrojtur prodhimin vendor, pra nëse diçka e tillë shihet e nevojshme.

Këto ishin teoritë bazë që kanë ndikuar në zgjerimin e konceptit të tregtisë ndërkombëtare. Përveç këtyre janë paraqitur edhe ide të tjera të cilat përkrahin sistemin e tregtisë së lirë, që më vonë janë quajtur teori të reja klasike apo neoklasike, si dhe teori të tjera që për bazë marrin strategjinë tregtare. Idetë dhe praktikat proteksioniste sa i takon tregtisë, arritën kulmin në Depresionin e Madh të vitit 1930, e që vazhduan deri në fillimin e Luftës së Dytë Botërore. Pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, shtetet nën udhëheqjen e SHBA-së, u angazhuan në liberalizimin dhe zhvillimin e tregtisë ndërkombëtare, aktivitete këto që çuan në nënshkrimin e marrëveshjeve dhe themelimin e organizatave ndërkombëtare të cilat do të merreshin me përpilimin e rregullave dhe parimeve të tregtisë, ku nga njëra anë do të stimulonin zgjerimin e tregtisë ndërkombëtare, kurse nga ana tjetër do të ndikonin që shtetet të minimizojnë tarifat doganore dhe të eliminojnë nga politikat e shteteve të tyre të gjithë tarifat jo-doganore sa i takon eksportit dhe importit. Edhe përskaj angazhimeve të shumta në këtë aspekt, përsëri në mes të viteve të 70-ta të shekullit XX, shfaqet një lloj i Proteksionizmit të Ri, procese dhe politika të cilët ndikuan negativisht në sistemin e tregtisë së lirë. Kjo valë e kufizimit të tregtisë nisi me politikat e hartuara në SHBA në formën e barrierave jodoganore, që kishin objektiv pengimin e importeve të cilat vinin nga Japonia dhe vende të tjera të botës. Fundi i Luftës së Ftohtë që  pasoi me shpërbërjen e ish Bashkimit Sovjetik dhe ish Jugosllavisë, nxiti në negociatat e reja të cilat kishin për qëllim nxitjen e mëtutjeshme të liberalizimit të tregtisë dhe përmirësimin e rregullave dhe parimeve të tregtisë ndërkombëtare.

Procesi i liberalizimit të tregtisë ka qenë mjaft i vështirë pasi që ka qenë i shoqëruar me ide dhe teori të cilat kanë pasur për synim izolimin dhe kufizimin e tregtisë, kurse politikat e shteteve gjithmonë kanë qenë të drejtuara në mbrojtjen e ekonomisë kombëtare, duke targetuar ekonomitë e vendeve të tjera me plasimin e mallrave nëpërmjet eksportit.  Janë një numër i madh i faktorëve që kanë ndikuar që tregtia ndërkombëtare të ketë tretman të lirë, por duhet përmendur: teoria e përparësive absolute dhe relative për tregtinë, e pasuar nga ide dhe mendime të tjera që formojnë shkollën klasike dhe neoklasike; krijimi i organizatave të cilat nxisin bashkëpunim tregtar;  marrëveshjet për tregti të lirë; kompanitë të cilat operojnë në shumë shtete, kalimi i pronës prej publikes drejt privates, pra themelimi i kompanive private, zvogëlimi i taksave doganore në mënyrë graduale, ulja e shpenzimeve të komunikimit dhe transportit, zhvillimi i aktiviteteve të biznesit nëpërmjet internetit, e kështu me radhë.

www.foldrejt.com/teorite-e-tregtise-nderkombetare/

Back

Contact

Fisnik Mucha

© 2020 All rights reserved.

Make a website for freeWebnode