Politika e ELEM-it për ndërtimin e hidrocentralit në Fushën e Lukovës

Politika e ELEM-it për ndërtimin e hidrocentralit në Fushën e Lukovës

Abstrakt

                Ky punim paraqet një analizë të një politike të ELEM-it, pra një projekt për të ndërtuar një hidrocentral në Fushën e Lukovës. Nevoja për energji elektrike se vjen edhe rritet, andaj edhe Elektranat e Maqedonisë kanë projektuar këtë politikë për ndërtimin e hidrocentralit në fjalë. ELEM ka parashikur që këtë projekt ta mbulojë me një kredi të marrë nga Banka Botërore. Hulumtimet për mjedisin jetësor janë nisur në vitin 2011 dhe në vitin 2013 organizohen debate publike me qëllim të finalizimit të projektit duke marrur pajtimin e palëve të prekura. Duke marrur parasysh reagimin e Pushtetit Lokal dhe shoqatave qytetare dhe joqeveritare, kjo politikë është bërë problematike për tu realizuar.

            Fillimisht bëhet një analizë e Projektit “Fusha e Lukovës”, ku jepen të gjitha detalet të cilat kanë të bëjnë me të, duke nisur nga qëllimet e projektit, objektivat, buxheti i planifikuar, strukturimi i politikës, e kështu me rradhë. Në vazhdim të punimit jepen edhe qëndrimet e aktorëve institucional dhe jashtë institucional në lidhje me politikën në fjalë. Edhe pse kjo politikë ka hasur në rezistencën e aktorëve të ndikuar nga kjo politikë, përsëri debatet për realizimin ose mosrealizimin e saj kanë mbetur të hapura. Në fund jepen rekomandime të cilat mund që të jenë një zgjidhje e këtij problemi, edhe pse kjo politikë mbetet ose të realizohet ose mos realizohet fare.

 

Fjalët kyçe : hidrocentral, lumi Radika, Pushteti Lokal, devijim i ujit, ekosistem

 

 

 

 

Hyrje

                Prodhimi i energjisë elektrike është faktori më i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të një shteti. Prodhimi i vazhdueshëm dhe stabil i energjisë elektrike, nga njëra anë është një mundësi e mirë për gjetjen e burimeve të reja të prodhimit, kurse nga ana tjetër një tentativë për të përmisuar gjendjen ekologjike të atij rajoni. Në Maqedoni prodhimi i energjisë elektrike menaxhohet nga kompania aksionere shtetërore ELEM(Elektranat e Maqedonisë), ku energjia prodhohet më së shumti nëpërmjet hidrocenraleve dhe termocentraleve. Në kuadër të ELEM-it sot funksionojnë 8 hidrocentrale dhe 2 termocentrale. Pra siç shihet pjesa më e madhe e energjisë elektrike prodhohet nëpërmjet fuqisë së ujit, pra ndërtimit të pendave nëpërmjet të cilave bëhet akumulimi i ujit, dhe ndërtimin e hidrocentraleve për prodhim. Projektuesit e ELEM kanë përpiluar edhe 7 projekte për ndërtimin e hidrocentraleve të tjera, mes tjerash edhe projektin “Fusha e Lukovës”, projekt i cili do të trajtohet në këtë punim hulumtues. Edhe pse në objektivat dhe qëllimet e ELEM-it mbetet që nëpërmjet ndërtimit të hidrocentraleve dhe termocentraleve, të mos dëmtohet aspekti ekologjik i rajoneve, a thua vallë ka të njëjtin trajtim edhe projekti “Fusha e Lukovës”, një projekt i cili ka nxitur debat mes përfaqësuesve të ELEM-it dhe përfaqësuesve komunal të cilët me përkrahjen e shoqatave joqeveritare kanë dalur kundër këtij të fundit të cilin e llogarisin si të dëmshëm për florën dhe faunën e vendit.

 

            Qëllimi kryesor i ELEM-it nëpërmjet këtij projekti është që të rrisë kapacitetin energjetik, por këtë duke akumuluar ujërat e Korabit dhe duke devijuar rrjedhjen e tyre natyrore, ku këto ujëra që janë burim kryesor i furnizimit të lumit Radika, dhe kanë derdhjen në Detin Adriatik, nëpërmjet këtij devijimi, do të kalojnë në Vardar, me çrast do të ketë derdhje në Detin Egje. Pikërisht ky është edhe shqetësimi kryesor i qytetarëve dibran të cilët unanimisht janë ngritur kundër këtij projekti me nënshkrimin e peticioneve dhe daljen në protesta, pasi që duke marrur parasysh faktorët ekologjik dhe jetik, ky devijim shihet si një dëm tepër i madh që i bëhet qytetit të Dibrës.

1.Politika e ELEM-it për ndërtimin e Hidrocentralit Fusha e Lukovës

Projekti Fusha e Lukovës është një politikë e ndërmarrjes publike ELEM, që parasheh akumulimin e ujërave të Korabit, përfshirë këtu edhe ujërat që furnizojnë lumin Radika, në vendin e quajtur Fusha e Lukovës. Duke u bazuar në të dhënat e vet ELEM-it, këta ujëra në një interval kohor prej një muaji shkaktojnë përmbytje në sistemin e shtratit të lumit Radika. Si zgjidhje teknike të këtij problemi, të tillë siç e trajton ELEM, është që të bëhet devijimi i diku 2 m3 në sekondë e lumit Radika nga rrjedhja natyrore, nëpërmjet një kanali, ku ujërat në vend që të derdhen në Detin Adriatik, do të derdhen në Detin Egje. Edhe pse devijimi i rrjedhjes natyrore të ujërave është në kundërshtim të plotë me Konventën e Helsinkit për “Mbrojtjen dhe Përdorimin e rrjedhave Ujore dhe Liqeneve Ndërkufitare” (HELCOM, 1992) dhe rezulutën nr. 63/124 të OKB-së për “Zonat Ujëmbajtëse Ndërkufitare”  (UN, 2009) , ELEM mbështet projektin e saj në një marrëveshje të nënshkruar mes Ish Jugosllavisë dhe Shqipërisë në vitin 1948. Sipas të dhënave, gjithmonë nga vet ELEM, me këtë rregullim të ujit që do të bëhet nëpërmjet devijimit, do të shmangen edhe përmbytjet që ndodhin në disa vise të Shqipërisë, kurse nga ana tjetër do të rritet prodhimi i energjisë elektrike. Projekti Fusha e Lukovës fillimisht është përgaditur nga ana e EMO-s në vitin 1989 në Ohër, projekt I cili u azhurua në vitin 2012.  (ЕЛЕМ, ЛУКОВО ПОЛЕ ПРОЕКТ ЗА ОБНОВЛИВА ЕНЕРГИЈА (ЛППОЕ), 2012)

Fusha e Lukovës gjendet në Maqedoninë Veriperëndimore, në pikëprerjen e malit Sharr dhe Korab. Në këtë fushë parashikohet ndërtimi i një pende të gjatë 71 metra, që do të mundësojë akumulimin e gjithsejt 39 х 106 м3 ujë, me volum të përdorshëm prej 38 х 106 м3 me të cilin mund të prodhohet 163.19 x 106 KWh energji elektrike për vit. (ЕЛЕМ, ЛУКОВО ПОЛЕ ПРОЕКТ ЗА ОБНОВЛИВА ЕНЕРГИЈА (ЛППОЕ), 2012) Devijimi i ujërave të Korabit do të bëhet me ndërtimin e një kanali të gjatë 20km. Në maj të vitit 2011 ELEM nënshkroi një marrëveshje për përgaditjen e projektit me Bankën Botërore, në vlerë prej 3 milion dollarësh amerikan. Qëllimi i kësaj marrëveshjeje ishte që të bëhen studimet teknike dhe një vlerësim i plotë i ambientit jetësor. Projekti është përfunduar dhe në fazën finale është prezantuar para përfaqësuesve zyrtar në Komunën e Dibrës, me çrast janë anashkaluar të gjitha takimet e tjera gjatë fazës përgaditore të projektit. 

2.Qëllimet e projektit “Fusha e Lukovës”

Qëllimet e projektit “Fusha e Lukovës” mund që shihen nga dy këndvështrime. Këndvështrimi i parë është nga ai i ELEM-it, kurse këndvështrimi i dytë nga ata të cilët kanë dalur kundër këtij projekti. Shikuar nga këndvështrimi i Elektranave të Maqedonisë (ЕЛЕМ, ЛУКОВО ПОЛЕ ПРОЕКТ ЗА ОБНОВЛИВА ЕНЕРГИЈА (ЛППОЕ), 2012) qëllimet e kësaj politike do të ishin:

  • Qëllimi i parë që aryeton këtë projekt është ai i përfitimit të energjisë elektrike. Me ndërtimin e këtij hidrocentrali do të prodhohet energji elektrike, e cila do të rrisë kapacitetin energjetik të vendit, por edhe do të shërbejë për tu eskportuar;
  • Qëllimi i dytë është rregullimi i sasisë së ujërave sidomos të atyre të Mavrovës;
  • Qëllimi i tretë ka të bëjë me stabilitetin biologjik të lumit Vardar me çrast do të rritet mundësia e ndërtimit të hidrocetraleve të reja përgjatë këtij lumi, duke nisur nga burimi e deri në Gjevgjeli;
  • Qëllimi i katërt lidhet me përmisimin e infrastrukturës në pjesën e Mavrovës dhe Fushës së Lukovës; dhe
  • Qëllimi i pestë është se ky projekt do të ulë nivelin e dioksidit të karbonit CO2, me çrast do të ketë përmisim të ekosistemit të ato anë.

Përfaqësuesit e pushtetit lokal, analistët politik, inxhinierët e mjedisit, shoqatat ekologjike, etj, këta qëllime të cilat i përmend vet ELEM i shohin si një kërcënim pikërisht për Dibrën dhe ekosistemin e lumit Radika. Me devijimin e ujërave të Korabit, jo vetëm që lumi Radika do të thahet dhe kjo do të ndikojë në biodiversitetin e këtij rajoni, por “humbja e ujërave të Radikës do të ketë ndikim edhe në lumin e Drinit të Zi dhe për pasojë do ndikojë në uljen e rezervave ujore në kaskadën e Drinit”.  (Marku, 2013) Sipas inxhinerit Abdyl Koleci(2012), diku 70% të ujërave që vijnë nëpërmjet lumit Radikë do të përdoren për hidrocentrale, me çrast do të prishtet ekosistemi i Fushës së Korabit dhe kanionit të Radikës, dhe kjo sasi e ujit do të çohet në liqenin e Mavrovës, e në fund do të kenë derdhje në lumit Vardar. Pra shikuar nga ky këndvështrim, ky projekt ka qëllime shkatërruese për Dibrën dhe kanjonin e Radikës.

3.Strukturimi i projektit “Fusha e Lukovës”

Shikuar në tërësi ky projekt përmban anët teknike të ndërtimit të hidrocentralit, përfitimet dhe parashikimet e kësaj politike, studimet për mjedisin jetësor dhe ambientin, buxhetin e parashikuar për realizimin e projektit dhe në fund pamje vizuele. Në anët teknike jepen të dhëna për hulumtimet gjeologjike të kryera nga Instituti i Ndërtimit të Maqedonisë, të cilat janë realizuar me agjencione konsultimesh nga Spanja dhe Maqedonia. Studimet për mjedisin jetësor janë hulutime të mjedisit të cilat kërkohen edhe nga investuesi kryesor në këtë projekt, Banka Botërore. Për tu realizuar ky studim, nga Banka Botërore është marrur një kredi në vlerë prej 272.000 euro  (ЕЛЕМ, ЕНЕРГИЈА, 2011) me çrast janë analizuar të gjithë rrethanat se si ky projekt nuk do të ndikojë negativisht në mjedisin jetësor, edhe pse e gjithë kjo pa pjesëmarrës nga pushteti lokal apo ekspertë të vendit të cilët do të jepnin vlerësimet e tyre shikuar edhe nga prizmi i asaj se si ky projekt do të ndikojë në kanjonin e Radikës dhe ekosistemin e këtij rajoni. Përfitimet e politikës janë trajtuar në pjesën e qëllimeve, kurse parashikimet do të analizohen në vazhdim. Buxheti i projektit përfshin mjetet e tërësishme të cilat do të harxhohen për realizimin e këtij projekti.

4.Parashikimet nga kjo politikë

Me ndërtimin e hidrocentralit në Fushën e Lukovës ELEM parashikon një rritje të kapacitetit energjetik me diku 159.180.000 KWh energji elektrike. Veç përfitimit ekonomik, parashihet edhe një përfitim në aspektin e ujërave, ku parashihet një volum prej 77.000.000 m3 I rregullimit të ujërave me çrast do të ketë përfitim pothuajse në gjjithë territorin e Maqedonisë. Me realizimin e këtij projekti, ELEM gjithashtu parashikon një kursim prej 148.000 tonë të CO2(Dioksid Karbonit), me çrast do të ndikojë edhe në përmisimin e mjedisit jetësor.

Por shoqatat ekologjike, inxhinerët e mjedisit jetësor dhe analistët politik nuk ndajnë të njëjtin mendim. Me devijimin e ujërave të Korabit dhe ndërtimin e këtij hidrocentrali, do të zvogëlohet proçesi I fotosintezës, me çrast do të kemi më pak oksigjen. Me këtë dëmtohet lumi Radika dhe Liqeni I Dibrës, që janë të pasura me peshq, por shërbejnë edhe për not, sport dhe ujitje të Fushës së Dibrës. Nëse I devijohen këta ujëra Dibrës, Liqeni I Dibrës nuk do të jetë më destinacion për peshkatarët. Por shikuar edhe nga aspekti i ekosistemit, me këtë projekt shkatërrohet një ekosistem ekzistues, për tu krijuar një ekosistem I ri, nëpërmjet të cilit ujërat e Korabit në vend që të derdhen në Detin Adriatik, me Vardarin të cilin e parashohin të lundrueshëm me volumin e ujërave të devijuar, do të derdhen në Detin Egje.

5.Buxheti i planifikuar

Sipas kalkulimeve të realizuara në vitin 1988 nga ana e EMO-s dhe në bazë të azhurimeve të çmimeve të vitit 2011, vlera totale e projektit “Fusha e Lukovës” është 62.270.529 Euro. Shpenzimet për këtë projekt janë të rradhitura si në tabelën në vijim:

Tabela nr.1: Shpenzimet e planifikuara për ndërtimin e hidrocentralit

I

Përgaditjet paraprake(Hulumtime, projektime dhe shpenzime nga investitori 4% e III)

1.933.876

II

Punët përgaditore

2.289.752

III

Punët ndërtimore

48.346.901

IV

Pajisjet hidromekanike

4.700.000

V

Pajisjet elektrike

1.000.000

VI

Hidrocentrali “Gurri i Zi”

4.000.000

TOTALI NË EURO

62.270.529

Burimi:  (ЕЛЕМ, ЛУКОВО ПОЛЕ ПРОЕКТ ЗА ОБНОВЛИВА ЕНЕРГИЈА (ЛППОЕ), 2012.fq 6)

 

                Përgaditjet paraprake të projektit zënë vlerën prej 1.933.876 Euro. Në vitin 2011 ELEM ka marrur nga Banka Botërore një kredi prej 272.000 Euro për të testuar implikimet e projektit në mjedisin jetësor. Punët përgaditore të projektit kapin vlerën prej 2.289.752 Euro, kurse punët ndërtimore do të kushtojnë 48.346.901 Euro. Plani dinamik I investimit nis prej vitit 2011, edhe pse realisht në këtë vit kanë nisur vetëm se hulumtimet në lidhje me mjedisin jetësor. Në vitin 2013-2014 investimi duhet të kishte kapur vlerën prej 22 milion euro, mirëpo për shkak të asaj që ky projekt ka nxitur revoltën e Pushtetit Lokal të Dibrës dhe organizatave qytetare dhe joqeveritare, akoma nuk janë nisur punët ndërtimore.

6.Aktorët institucional dhe jashtë institucional

Në këtë politikë janë të përfshirë edhe aktorët institucional dhe ato jashtë institucional, edhe pse dikush më shumë, e dikush më pak. Aktorët institucional janë:

  • ELEM (Elektranat e Maqedonisë) – që është edhe projektuesi I kësaj politike. Qëndrimi i kësaj kompanie energjetike është që janë marrur të gjitha masat e nevojshme dhe janë bërë të gjitha hulumtimet që ky projekt të realizohet.
  • Ministria e Ekonomisë – është e lidhur drejtëpërsëdrejti me politikën në fjalë. Edhe pse pas takimit me ministrin e Energjetikës së Shqipërisë, qëndrimi i kësaj Ministrie ishte që projekti do të realizohet, pas protestave qytetare dhe peticionit të nënshkruar dhe pas vizitës së ministrit Valon Saraçini në Dibër, qëndrimi I kësaj Ministrie është që nuk do të fillohet as edhe një ndërtim pa mos u zhvilluar edhe njëherit të gjitha hulumtimet në lidhje me projektin, ku kësaj rradhe do të ketë edhe grupe punuese edhe nga Pushteti Lokal.  (https://time.ikub.al, 2013)
  • Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor – Qëndrimi i ministrit Abdylaqim Ademi pas takimit në Dibër është I ngjajshëm me atë të Ekonomisë. Duke u referuar në konventat evropiane dhe ligjin për ujërat, ministri është prononcuar që devijimi i ujit është I ndaluar dhe ka ndikime negative ndaj florës dhe faunës.  (https://time.ikub.al, 2013)
  • Ministria e Bujqësisë, Mistria e Transporit dhe Lidhjeve, Ministria e Financave dhe Ministria e Pylltarisë – edhe pse përfshirja e këtyre ministrive nuk është në nivelin e ministrive të lartëpërmendura, përsëri edhe ministritë përkatëse luajnë një rol të rëndësishëm në realizimin ose mosrealizimin e projektit Fusha e Lukovës.
  • Pushteti Lokal(Kryetari I Komunës Dibër dhe Këshilli Komunal) – është një aktor institucional që përfshihet në këtë politikë, ku pas debatit të parë të realizuar me përfaqësuesit e ELEM-it, Bankës Botërore, Ministrisë së Ekonomisë, Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapsinor, në seancën e katërt të Këshillit Komunal të mbajtur me date 28.06.2013, në lidhje me Projektin Energjetik “Fusha e Lukovës”, merret konkluza 07-558/3 kundër realizimit të projektit në fjalë. [1] Edhe pas debatit në tetor në vitit 2013, qëndrimi I Pushtetit Lokal është I njëjtë, ku përveç kundërshtimit publik të projektit, gjithashtu ka përkrahur edhe iniciativat e shoqatave qytetare dhe joqeveritare. (Aneksi nr. 3).
  • Qeveria e Shqipërisë -  është e prekur nga projekti në fjalë pasi që me devijimin e rrjedhjes së lumit Radika, do të zvogëlohet sasia e ujit që rrjedh në destinacion të Shqipërisë nëpërmjet Drinit të Zi. Edhe pse qeveria shqiptare nuk ka dalur me një qëndrim konkret në lidhje me projektin në fjalë, deputetë të partisë së pozitës kanë folur kundër këtij projekti në parlamentin shqiptar dhe kanë dalur në mbrojtje të lumit Radika. Në një fjalim në tijin deputeti I LSI-së Përparim Spahiu, thotë që nëse banorët e Dibrës matanë kufirit I tremben mungesësë së ujit për vadije, zhbalancimit të ujërave termal të banjave, Shqipëria duhet të trembet njëmijë here më tepër, pasi vetëm nga uji I Drinit të Zi varet fati I katër hidrocentraleve të Shqipërisë. (https://www.shekulli.com.al, 2013)

Këta ishin aktorët institucional të përfshira në këtë politikë. Faktorët jashtëinstitucional të cilat janë kyçur në këtë politikë ose janë pjesë përbërëse e saj janë:

  • Banka Botërore – është financuesi kryesor i këtij investimi. Edhe pse janë bërë të gjitha hulumtimet nga ELEM, pas debateve publike të realizuara në Komunën e Dibrës, qëndrimi I Bankës Botërore është vërë në pikëpyetje. Para debatit publik të mbajtur në tetor, Banka Botërore ishte e vendosur që të realizonte këtë investim, por pas protestave dhe peticionit, kjo çështje ka mbetur e hapur dhe akoma në hulumtim. [2]
  • Shoqatat qytetare dhe joqeveritare – këtu përfshihen të gjithë shoqatat dhe organizatat të cilat kanë reaguar në lidhje me projektin “Fusha e Lukovës”, qofshin ata shoqata lokale, shoqatat dibrane dhe shqiptare të diasporës, Aleancat e ndryshme kundër devijimit të lumenjve në Shqipëri, etj. Në një deklaratë për bashkëpunim mes shoqatave në Dibër(Shih Ankesin nr.2), janë marurr të gjitha vulat dhe nënshkrimet e një numri të konsiderushëm të shoqatave nga Dibra dhe rrethina, të cilat kanë dalur kundër projektit në fjalë. Ky grup iniciues fillimisht organizoi një peticion ku u grumbulluan nënshkrime nga qytetarët dibran, të cilat më pastaj në koordinim me Pushtetin Lokal u dërguan tek organet kompetente. Më pastaj u organizua një protestë në Dibër që kishte të bëjë me devijimin e rrjedhjes së lumit Radika.  (www.grid.al, 2013) Gjithashtu edhe Shoqata Atdhetare “Dibra” organizoi një protestë kundër këtij projekti përpara selisë së OKB-së në Nju Jork.  (www.portalb.mk, 2013). Edhe nëpër rrjetet sociale dhe faqet e ndryshme të internetit janë hapur webfaqe të cilat kanë qëllim të senzibilizojnë popullatën në lidhje me çështjen në fjalë dhe për grumbulluar sa më shumë peticione kundër realizimit të projektit. Kjo çështje është trajtuar edhe nga disa shoqata ekologjike të Gjermanisë të cilat kanë hapur faqe në internet për të mbledhur nënshkrime që çështja e Radikës të disktutohet edhe në Parlamentin Evropian.  (https://www.endecocide.eu/, 2014) Ditëve të fundit janë organizuar edhe protesta matanë kufirit, përgjithësisht në Peshkopi dhe Tiranë. Edhe shoqatat shqiptare të Peshkopisë dhe Aleanca kundër devijimit të lumenjve në Tiranë, solidarizohen me qytetarët dibran duke dalur edhe ata kundër devijimit të lumit Radika.  (www.time.ikub.al, 2014).

Pra këta janë aktorët të cilat janë të përfshira ose të kyçur në këtë projekt. Edhe pse qëndrimet e minsitrave shqiptarë në Maqedoni janë që ky projekt nuk do të realizohet pa mos u konsultuar në tërësi dhe pa mos marrur lejen e dibranëve,  përsëri nga ELEM dhe qeveria e Maqedonisë dëgjohen zëra që ky projekt do të realizohet pas mos marrur parasysh koston dhe rrethanat. Iniciativat e grupeve punuese të shoqatave vazhdojnë nëpërmjet rrjeteve sociale, me çrast pritet shqyrtimi i qeverisë së Maqedonisë I peticionit të dorëzuar.

7.Pritjet nga kjo politikë dhe faktorët të cilët ndikojnë në realizimin apo mosrealizimin e kësaj politike

Pritjet e ELEM-it dhe qeverisë së Maqedonisë nga politika në fjalë janë rritjet e produktivitetit energjetik, me çrast do të kemi edhe një rritje të kapacitetit ekonomik të vendit. Edhe pse nuk ka dyshim në atë që projektet energjetike janë të një rëndësie të veçantë për zhvillimin ekonomik të vendit, përsëri duhet marrur parasysh edhe faktorë të tjerë të cilat këtë projekt e bëjnë të parealizueshëm. Protestat e dibranëve në lidhje me këtë projekt janë me vend, nga që me akumulimin dhe devijimin e ujërave të Korabit, prishet ekosistemi ekzistues dhe kanjoni i lumit Radika, me çrast humbjet do të ishin të mëdha. Në momentin kur do të ketë më pak ujë, automatikisht do të ketë më pak gjelbërim dhe më pak jetë. ELEM duhet të marrë parasysh këto faktorë, të cilët janë të një rëndësie të veçantë që ky projekt të realizohet ose mosrealizohet.

Në vitet e 50-ta veçse është bërë një devijim i ujërave të Korabit, me çrast është krijuar liqeni I Mavrovës. Gjithashtu me ndërtimin e hidrocentralit Shpilje, është mbushur me ujë Fusha e Udovës, ku është sot liqeni arfiticial I Dibrës, një fushë e cila ka qenë e një rendimenti të lartë për prodhim. Pra, në atë kohë veçse është dëmtuar ky ekosistem, kurse me projektin “Fusha e Lukovës” dhe tharrjen e lumit Radika, ky ekosistem do të pushojë së ekzistuari. Edhe pse qëndrimet e ELEM-it janë që do të devijohet vetëm se një sasi e caktuar e ujit, përsëri në debatet publike ka dalur në shesh që devijohen pothuajse të gjitha degët të cilat furnizojnë me ujë Radikën. ELEM ka bërë matjet kuanitative dhe kualitative të projektit, por shikuar vetëm se nga prizmi i atij rajoni, duke mos marrur parasysh që ky devijim I ujit dëmton një rajon tjetër, siç është rasti i kanjonit të Radikës. Ky projekt do të sjell përfitime të aspektit ekonomik, por dëmet ekologjike në rajonin e Dibrës janë të prezente. Edhe pse në pranverë ka një sasi më të madhe të ujit, më dimër kjo sasi është shumë më e vogël, dhe si rezultat edhe Radika ka më pak ujë. Pas gjithë kësaj, Liqeni I Dibrës dhe Radika që janë jetë për dibranët, do ti ngjajnë një kënete të padobishme. Gjithashtu me pakësimin e sasisë të ujit, rritet edhe mundësia e tërmeteve, si rezultat I prezencës së ujërave termal në këto anë.

8.Përfundime dhe rekomandime

Nga e gjithë që u elaborua dhe analizua në këtë punim hulumtues vimë deri në përfundim që:

  • Projekti “Fusha e Lukovës” është një projekt profitabil në rritjen e kapacitetit energjetik të Maqedonisë në aspektin ekonomik, por ka edhe dëmet ekologjike, pasoja këto që kanë sjellur reagimin e Pushtetit Lokal dhe shoqatave qytetare dhe joqeveritare. ;
  • Duke marrur paraysh Ligjin për Ujërat të Maqedonisë,Konventën të Helsinkit për Ujërat, Rezulutën të OKB-së për Ujërat, si dhe Strategjitë e shteteve të Maqedonisë dhe Shqipërisë për këtë çështje, devijimi natyror i ujërave është i ndaluar dhe ndëshkohet me ligj. Edhe pse ELEM mbështetet në një marrëveshje mes Shqipërisë dhe Ish-Jugosllavisë të vitit 1948, kjo marrëveshje duhet të shqyrtohet pasi që Jugosllavia më nuk ekziston.
  • Si aktorët institucional poashtu edhe ato jashtë institucional luajnë një rol të rëndësishëm në realzimin ose mos realizimin e këtij projekti. Vendimet e Pushtetit Lokal për të kundërshtuar këtë projekt dhe iniciativat e shoqatave, kanë çuar në atë pikë që ky projekt të ryshqyrtohet edhe njëherit, me çrast të merren vendimet përkatëse.
  • Ky projekt veçse që ka për qëllim prodhimin e energjisë, në prapavijë ka edhe atë që të bëjë Vardarin të lundrueshëm. Nëse shohim projektet e ardhshme të ELEM-it për të ndërtuar hidrocentrale, nga gjithsejt tetë, gjashtë prej tyre i planifikohen në pjesën Maqedonisë Qëndore dhe atë Lindore.

Duke marrur parasysh që ky projekt parasheh krijimin e një ekosistemi të ri duke shkatërruar atë të vjetrin, është pak si e vështirë që të jepen politika alternative për tu realizuar. Edhe pse gjasa më e madhe është që ky projekt të realizohet ose mos realizohet, gjithsesi si alternativë do të mbetej që të ndërtoheshin kanale të cilat atë të sasi të ujit që devijohet, të rikthehet në rrjedhjen e tij drejt lumit Radika prej Liqenit të Mavrovës. Me këtë rast në fund përsëri lumi do të ketë rrjedhjen e tij në Detin Adriatik, në vend që të derdhet në Detin Egje, ashtu siç planifikohet me këtë projekt.

 

Aneksi nr. 1: Konkluzë në lidhje me Projektin Energjetik “Fusha e Llukovës”

Aneksi nr. 2: Deklaratë për bashkëpunim mes shoqatave qytetare dhe joqeveritare

 

Aneksi nr. 3: Vendim në lidhje me projektin “Fusha e Llukovës” drejtuar qeverisë së Republikës së Maqedonisë

 

Literatura dhe refencat

 

HELCOM. (1992). CONVENTION ON THE PROTECTION AND USE OF TRANSBOUNDARY WATERCOURSES AND INTERNATIONAL LAKES. Helsinki: HELCOM.

https://time.ikub.al. (2013). Gjetur Janar 15, 2014, nga time.ikub.al: https://time.ikub.al/81facd59df/d38b96d47bd1bfd832b10458f16e1809/Lajm_Saracini-dhe-Ademi-Nuk-do-te-lejojme-projekt-ne-dem-te-dibraneve.aspx

https://www.elem.com.mk/index.php?option=com_content&view=article&id=103&Itemid=208&lang=mk#. (2014). Elem. Gjetur Janar 8, 2014, nga Elem.

https://www.endecocide.eu/. (2014). Retrieved Janar 5, 2014, from https://www.endecocide.eu/

https://www.shekulli.com.al. (2013). Gjetur Janar 10, 2014, nga https://www.shekulli.com.al: https://www.shekulli.com.al/web/p.php?id=36715&kat=92

Koleci, A. (2012, Mars). Stop sulmit shtetëror ndaj Dibrës së Madhe. Rruga e Arbërit, 3.

Marku, B. (2013, Tetor). Të mbrojmë Radikën! Rruga e Arbërit, 7.

UN. (2009). 63/124. The law of transboundary aquifers. United Nations.

World Bank. (2011). World Bank - FYR Macedonia Partnership Country Program Snapshot. United States: World Bank.

www.grid.al. (2013). https://grid.al/read/news. Gjetur Dhjetor 29, 2013, nga www.grid.al: https://grid.al/read/news/157167213/5392818/dibranet-ne-mbrojtje-te-radikes-protesta-kunder-elem-it

www.portalb.mk. (2013). www.portalb.mk/CategoryContent. Gjetur Dhjetor 28, 2013, nga www.portalb.mk: https://www.portalb.mk/CategoryContent/RenderSingleContent/3-Lajme/31642-Protesta-ne-SHBA-ne-mbrojtje-te-Radikes

www.time.ikub.al. (2014). Gjetur Janar 19, 2014, nga https://time.ikub.al/f473df06ec/24f06d878e352e11dc3643574d558dc5/Lajm_Protesta-qytetare-ne-Tirane-dhe-Peshkopi-kunder-devijimit-te-lumit-Radika.aspx

ЕЛЕМ. (2011, Октомври). ЕНЕРГИЈА. Се изработува студијата за влијанијето врз животната средина на проектот „Луково Поле„, 3.

ЕЛЕМ. (2012). ЛУКОВО ПОЛЕ ПРОЕКТ ЗА ОБНОВЛИВА ЕНЕРГИЈА (ЛППОЕ). Скопје.

ЕЛЕМ. (2012). ХЕ БОШКОВ МОСТ. Скопје.

 


[1] Shih më gjërësisht Ankesin nr.1

[2] Për të lexuar më tepër shih:  (World Bank, 2011)

 

Shkarko materialin 

Punimi final ne Analiza e politikave publike.pdf (2,7 MB)

Politika e ELEM-it për ndërtimin e.pptx (1,3 MB)

 

 

Contact

Fisnik Mucha

© 2020 All rights reserved.

Make a website for freeWebnode